Një grup senatorësh amerikanë, demokratë dhe republikanë, kanë prezantuar një projektligj për Ballkanin Perëndimor. Sipas projektligjit, që është nismë e senatores demokrate, Xhejn Sheheijn (Jeanne Shaheen), dhe republikani Roxher Uiker (Roger Wicker), synohet që shtetet e Ballkanit të mbështeten ekonomisht, në luftën kundër korrupsionit dhe aktiviteteve destabilizuese.
Projektligji i senatorëve nga dy partitë amerikane parasheh një sërë nismash për ndihmë ekonomike dhe për forcimin e institucioneve demokratike në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Shqipëri.
Mbështetës së këtij legjislacioni janë edhe senatorët: Kris Mërfi (Chris Murphy), Tom Tilis (Thom Tillis), Kris Von Holen (Chris Van Hollen), Dik Dërbin (Dick Durbin) dhe Ben Kardin (Ben Cardin).
Senatorja Sheheijn, nëpërmjet një njoftimi për media tha se në kohën kur po vazhdon pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, lideri rus, Vladimir Putin, i ka bërë të qarta synimet e tij që të rrisë ndikimin keqbërës në mbarë Evropën Lindore.
Prandaj, sipas saj, raportet SHBA-Ballkani Perëndimor janë qenësore në këto momente.
“Jam e lumtur që të paraqes këtë legjislacion dypartiak që forcon tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa çrrënjoset korrupsioni lokal dhe sanksionet të vendosen kundër aktorëve destabilizues”, tha ajo, duke shtuar se një gjë e tillë do të hapte rrugën për integrim më të madh euro-atlantik.
Senatori Uiker tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor zënë një pozicion të rëndësishëm në çështjet evropiane.
“Ky projektligj do të dërgojë një mesazh të fuqishëm dypartiak se SHBA-ja është e përkushtuar që të mbështesë diplomacinë në rajon”, tha ai.
Ndërkaq, senatori Van Holen tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka bërë që aleancat globale të SHBA-së të forcohen.
“Rritja e bashkëpunimit tonë me Ballkanin Perëndimor do të na lejojë që ta ndërtojmë mbi bashkëpunimin e ri ekonomik. Ky legjislacion do të ndihmojë në shfrytëzimin e mundësive të tilla, teksa ne vazhdojmë të mbështesim forcimin e demokracisë në rajon.
Strategji pesëvjeçare për Ballkanin Perëndimor
Përmes projektligjit, senatorët kërkojnë nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe udhëheqësit e departamenteve për ekonominë dhe tregtinë që jo më vonë se 180 ditë pasi të hyjë fuqi projektligji apo Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, të paraqesin një strategji pesëvjeçare për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmëri demokratike në Ballkanin Perëndimor.
Strategjia kërkon që të ketë bashkëpunim me partnerët në rajon, por edhe me institucionet evropiane dhe botërore, sikurse Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.
Institucioneve amerikane u kërkohet që përmes kësaj strategjie të zhvillojë kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore në një sërë fushash, sikurse sektori i ekonomisë, ai i energjisë së pastër, agrikulturës, bizneseve, sigurisë kibernetike e shëndetësi.
Po ashtu, theks i veçantë i jepet mbështetjes së grave në biznes, por në përgjithësi kërkohet të ketë përpjekje për barazi gjinore.
Sa i përket bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik përmendet edhe nisma ekzistuese Ballkani i Hapur dhe përpjekjet e tjera, që sipas senatorëve amerikanë, “paraqesin potencial të madh për të përmirësuar kushtet ekonomike në Ballkanin Perëndimor teksa promovojnë përfshirje dhe transparencë”.
Sanksionet
Ky akt kërkon që SHBA-ja të ketë koordinim të ngushtë me partnerët në BE, Mbretëri të Bashkuar e aleatë të tjerë sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj personave dhe entiteteve në këtë rajon, që nuk u përmbahen vlerave demokratike.
SHBA-ja, përmes urdhrave ekzekutivë, ka sanksionuar liderë e entitete në Bosnjë e Hercegovinë, në lidhje me shkeljet e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, përfshirë edhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.
Projektligji thotë se vendosja e sanksioneve ka për synim të pengojë aktivitetet destabilizuese në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Bosnjë e Hercegovina
Në projektligj përmendet Bosnjë e Hercegovina dhe nevoja që në këtë shtet të vazhdojë mandatin Forca e Bashkimit Evropian (EUROFOR), pasi një gjë e tillë konsiderohet si “interes i sigurisë kombëtare të SHBA-së”.
“Duhet të përdoret zëri i SHBA-së në NATO për të inkurajuar aleancën që të planifikojë dhe mbështesë forcat ndërkombëtare që ta mbajnë të sigurt Bosnjën, veçanërisht nëse Rusia bllokon ri-autorizimin e misionit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në projektligj dhe kërkohet që të forcohet selia e NATO-s në Sarajevë.
Po ashtu, nga NATO dhe BE-ja kërkohet që përmes misioneve të tyre në këtë shtet të sigurohen se do të luajnë rol proaktiv në ofrimin e një ambienti të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Ndërkaq, senatorët amerikanë shprehën mbështetjen e tyre për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të integrohen në strukturat euro-atlantike: NATO dhe BE.
Varësia nga energjia ruse dhe ndikimi kinez
SHBA-ja, sipas këtij projektligji, zotohet që të ndihmojë shtetet e Ballkanit që të ulin varësinë e tyre nga furnizimet me energjinë ruse.
Nga shtetet e Ballkanit, Serbia ka varësinë më të madhe nga burimet ruse të energjisë.
“Varësia nga burimet e gazit natyror rus për Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe lidhjet e tyre ekonomike dhe politike me Federatën Ruse, pengojnë aspiratat e tyre për integrimin evropian”, thuhet në projektligj.
Ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse, por edhe prodhimi i energjisë përmes karburanteve fosile, në projektligj thuhet se është “interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara”.
Por, shqetësues nuk shihet vetëm bashkëpunimi i Rusisë me shtetet e Ballkanit, por edhe ndikimi në rritje i Kinës në rajon.
Ky ndikim, sipas projektligjit, “mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën”.
Ndryshe, senatorët Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis vizituan Kosovë, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën më herët gjatë këtij viti.
Shaheen tha se ishte pikërisht kjo vizitë që e inspiroi të inicionte këtë projektligj.
“Vizioni i tyre [liderëve të Ballkanit Perëndimor] për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratë e re inspiruan këtë projektligj. Ky rajon meriton çdo mjet për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme dhe unë jam e lumtur që e kam udhëhequr nismën për këtë projektligj”, tha senatorja Shaheen.
Projektligji i propozuar nga senatorët amerikanë duhet të debatohet në komitetet përkatëse të Senatit, më pas të dërgohet në Senat për miratim. Kur të marrë miratimin e senatorëve, dërgohet për miratim përfundimtar para Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas këtyre procedurave, projektligji nënshkruhet nga presidenti dhe shndërrohet në ligj.
Por, shqetësues nuk shihet vetëm bashkëpunimi i Rusisë me shtetet e Ballkanit, por edhe ndikimi në rritje i Kinës në rajon.
Ky ndikim, sipas projektligjit, “mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën”.
Ndryshe, senatorët Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis vizituan Kosovë, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën më herët gjatë këtij viti.
Shaheen tha se ishte pikërisht kjo vizitë që e inspiroi të inicionte këtë projektligj.
“Vizioni i tyre [liderëve të Ballkanit Perëndimor] për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratë e re inspiruan këtë projektligj. Ky rajon meriton çdo mjet për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme dhe unë jam e lumtur që e kam udhëhequr nismën për këtë projektligj”, tha senatorja Shaheen.
Projektligji i propozuar nga senatorët amerikanë duhet të debatohet në komitetet përkatëse të Senatit, më pas të dërgohet në Senat për miratim. Kur të marrë miratimin e senatorëve, dërgohet për miratim përfundimtar para Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas këtyre procedurave, projektligji nënshkruhet nga presidenti dhe shndërrohet në ligj./ REL