Elisabeta Imeraj ka mbyllur sot parashtrimet e saj përpara trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në procesin e saj të vetingut. Ajo që shokoi opinionin publik të enjten ditën e zhvillimit të seancës, ku ankimuesi public paraqiti pretendimet e tij, ishte komenti i anëtares së Komisionit të Pavarur të Apelimit, Genta Bungo: “Një maloke më pak”.
Shqetësues është fakti që një term i tillë përçmues, përdoret ndaj një gruaje, ndaj një nëne, intelektualeje, e për më keq akoma ndaj një funksionareje të lartë të shtetit. E jo një funksionare dosido, por drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, e cila për nga rëndësia, territori që mbulon dhe funksionet hetimore që kryen cilësohet i barabartë me Prokurorin e Përgjithshëm e me drejtuesin e Prokuroisë së Posaçme.
Deri këtu gjithçka ishte shqetësuese. Por në perceptimin tim, kur fjalët dëgjohen nga goja e një funksionari të lartë që synon të kontrollojë strukturat e drejtësisë, një fakt i tillë është shumë më përtej skandalit të funksionit që kryen zonja Bungo. Në çdo vend demokratik në botë, ku funksionon ligji, drejtësia, ku funksionon e drejta qytetare dhe morali publik, një përcaktim i tillë përçmues i kryer nga zonja Bungo, do të kishte qenë vepër penale.
Minimalisht zonja në fjalë do të duhej të ishte vetëdorëhequr, pa pritur reagimin publik, apo mbledhjen e organeve që kontrollojnë funksionimin etik dhe ligjor të organeve të vetingut. Sigurisht nuk do mend se qytetarja në fjalë me funksion të lartë publik do të duhej dhe duhet të ishte shkarkuar menjëherë pas artikulimit të fjalëve të saj.
Përkthyesi duhej t’ia kishte transmetuar mirë të zellshmit Z. Xhakobs (Jacobs), domethënien e shprehjes së mësiprme. Kjo që ai të kuptonte mbase edhe vetë se mbase pa dashjen e tij është përdorur nga ndonjë anëtar vetingu, apo nga ndonjë tjetër në prapaskenën e vetingut për të luftuar pakuptimisht znj Imeraj. Po ajo që nuk kuptoj është se shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duhej të kishin reaguar minimalisht për rasti dhe deri tani nuk e kanë bërë kush e di se për çfarë lloj arsyeje në botë. Po z. Xhakobs a është informuar që znj Imeraj ishte “maloke” dhe pa të do të ishte një më pak në sistemin e drejtësisë ?
Së fundmi duhet të mendojmë se vërtetë vetingu në drejtësi ka nisur si pasojë e nevojës për të pastruar sistemin nga vërtetë të inkriminuarit, apo për të nxjerrë jashtë sistemit “malokët dhe maloket” si zonja Imeraj ? Fundja zonja Imeraj ka kontribute në sistemin e drejtësisë shumë herë më domethënëse dhe më me vlerë se gjithë karriera juridike e zonjës Bungo dhe shumë anëtarëve të komisioneve të vetingut që në shumë raste duket se kanë bëre rolin e mashës së dikujt tjetër apo në mos edhe mbajnë me vete bllokun e gjobave për hesap të tyre. Deri sa këto dyshime nuk i dimë dhe nuk i faktojmë dot, ajo që kuptojmë është se sjellja e individëve të ndryshëm në komisionet e vetingut nuk ka përputhje ligjore morale dhe etike me funksionin që në të vërtetë duhej të kryenin.