Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u ka bërë thirrje liderëve të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi vendin e tij teksa lufta kundër Rusisë vazhdon, duke i dhënë udhë një debati rreth pasojave që do të kishte një lëvizje e tillë.
“Nëse do të kishte një zonë ndalim-fluturimi dhe nëse ne do ta impononim atë, kjo do të thoshte që aeroplanët amerikanë të fluturonin në rivalitet me ata rusë. Dhe do të kishim rrezikun që aeroplanët amerikanë të rrëzonin aeroplanë rusë dhe anasjelltas”, tha për Fox News Digital Dan Hoffman, ish-shef i stacionit të CIA-s në Moskë.
Një zonë ndalim-fluturimi ndalon aeroplanët nga një zonë specifike dhe shpesh përdoret mbi ndërtesa qeveritare për arsye sigurie. Ato janë vendosur edhe gjatë konflikteve për të parandaluar avionët luftarakë të sulmonin atë zonë.
Hoffman tha për Fox News se duke u kthyer mbrapsht në Luftën e Ftohtë, strategjia e SHBA nuk ka diktuar “angazhim direkt kinetik me Bashkimin Sovjetik apo me Rusinë”.
“Kjo do të thotë që ushtarët tanë nuk do të ngrenë armët për t’i qëlluar dhe anasjelltas”, tha.
Përkundrazi, SHBA e ka luftuar Rusinë përmes të tretëve që nga fundi i Luftës II Botërore, përfshirë edhe aktualisht, në Ukrainë. Megjithatë, një zonë ndalim-fluturimi do ta ndryshonte këtë, duke i vënë ushtarët amerikanë në konflikt direkt me rusët.
Zelenski pati një bisedë në Zoom me mbi 280 ligjvënës amerikanë të shtunën dhe iu kërkoi mbështetje ushtarake dhe ndihma humanitare urgjente, përfshirë “kontrollin e qiejve” për të luftuar Rusinë. Ai i bëri thirrje NATO-s dhe Presidentit Biden javën e kaluar për vendosjen e ndalim-fluturimit mbi “pjesë të rëndësishme” të vendit.
“E përsërisim çdo ditë: Mbyllni qiellin mbi Ukrainë”, tha Zelenski në një video të postuar në Twitter të dielën, shoqëruar me titra anglisht.
Por thirrjet e tij kanë rënë në vesh të shurdhër.
NATO dhe Shtëpia e Bardhë e kanë mohuar vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit, teksa disa liderë amerikanë e përshkruajnë një lëvizje të tillë si shkaktare të pasojave katastrofike.
“Mënyra e vetme për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi është duke dërguar avionë luftarakë të NATO-s në hapësirën ajrore të Ukrainës, pastaj ta imponosh atë zonë ndalim-fluturimi duke rrëzuar avionët rusë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “E kuptojmë dëshpërimin, por edhe besojmë se po ta bëjmë këtë do të rrezikonim diçka që mund të përfundonte me luftë në shkallë të gjerë në Evropë”.
Zona ndalim-fluturim rrezikon një konfrontim direkt ushtarak me Rusinë. Ajo përmban mundësinë e përshkallëzimit në një luftë të tretë botërore, duke vendosur fuqi bërthamore si SHBA, Franca e Britania kundër Rusisë, një tjetër fuqi bërthamore.
Një sondazh i kohëve të fundit nga Reuters/Ipsos zbuloi se 74% e amerikanëve përmes spektrit politik e përkrahin vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit. Por disa liderë amerikanë thonë se çështja është shumë më e ndërlikuar se sa thjesht të ndalosh avionët të fluturojnë mbi Ukrainë.
“Sikur njerëzit ta kuptonin se çfarë do të thotë, do të thotë Lufta III Botërore. Do të thotë të nisësh Luftën III Botërore”, tha Senatori Marco Rubio (PR, Florida), të shtunën, në ABC. “Nuk është ndonjë ligj që miraton dhe të gjithë duhet ta zbatojnë. Është gatishmëri për të rrëzuar aeroplanët e Federatës Ruse, çka në thelb është fillimi i Luftës III Botërore”.
Edhe Demokratët kanë dhënë alarmin për imponimin e zonës së ndalim-fluturimit, përfshirë Senatorin Chris Murphy (Connecticut).
“Mendoj se duhet të jemi të qartë se nuk do të hyjmë në luftë me Rusinë, do të ishte fillimi i L3B dhe do të tërhiqte gjithë Evropën në një luftë shumë më të gjerë”, tha Murphy në Fox News Sunday.
Zelenski iu përgjigj shqetësimeve të tilla të hënën duke thënë se avionët rusë që bombardojnë vendin e tij, përfshirë shkollat, duhen rrëzuar për të shpëtuar jetë.
Disa senatorë, si Demokrati Joe Manchin, kanë dhënë sinjale se ky opsion megjithatë duhet të mbetet në tryezë, ndërsa ish-Komandanti Suprem i NATO-s, Gjenerali i Forcës Ajrore të SHBA Philip Breedlove, tha se një zonë ndalim-fluturimi humanitare do të lejonte kalimin e trenave të ndihmave dhe kujdesin për të plagosurit.
Hoffman thotë se SHBA mund të ofrojë ndihmë për Ukrainën, duke ndaluar eksportin e gazit dhe naftës ruse dhe duke i dhënë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa anti-tank.