Këtu e ca vite më parë tek sa mora pjesë në një debat të shkurtër televiziv në një nga ekranet e tona kombëtare, ku flitej për shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit. Në një moment moderatori m’u kthye : A nuk të duket se na dallojnë dhe na diskriminojnë qëllimisht sapo na shohin, nëpër aeroporte apo ku shkojmë ? Shtrembërova fytyrën, pa kuptuar qëllimin e reaksionit të folësit.
Mbeta i surprizuar dhe u gjenda krejt i papërgatitur nga kjo pyetje vetëdiskriminuese sa për një moment e humba fillin. Argumentet e folësit ishin se neve, pra “ne shqiptarëve”, nuk duan të na qasin në Europë dhe na keqtrajtojnë apo diksriminojnë kudo ku shkojmë e veçanërisht në aeroporte.
Pa i hyrë shumë në detaje debatit, u përpoqa të argumentoja të kundërtën, edhe pse moderatori nuk lështonte pe. Dhe fakti është më se i qartë : se në aeroportin “Sharl Dë Gol” të Parisit, i dyti apo i treti më i madh në Europë, një kontrollor, apo një oficer policie, nuk ka aq kohë sa të kërkojë me do e mos rastin se: o burra sa shqiptarë do diskriminojmë sot, të thyejmë rekordin e ditës së djeshme.
Në Paris, Lion, Bruksel, Gjenevë, Berlin, Frankfurt, Sharlërua, e ku di unë se ku, qarkullojnë me miliona pasagjerë në ditë, jo vetëm nga Shqipëria, por nga vendet më të varfra e deri tek ato më të zhvilluarat. Ndaj kjo tendencë vetëdiskriminimi më ngjau pa vend. Ndaj mendoja se duhej të hiqej nga mendja se ne nuk na duan, mbase edhe duke justifikuar kësisoj edhe gabimet tona të sjelljes në qytetet europiane, pavarësisht mëkateve të këtyre të fundit ndaj nesh. E solla këtë paralelizëm të gjatë, fill pas faktit të një serie lajmesh që lexoj vazhdimisht këto kohë, por që vazhdon prej vitesh në fakt, në mediat tona.
Për të fituar ca shikime apo audiencë më tepër, prej kohësh kanë krijuar praktikën e vetëdenoncimit, vetëdemaskimit, e vetëmasakrimit tonë, në fakt pa qenë aspak e nevojshme. Në një lajm të postuar të shtunën në mbrëmje, me 8 maj 2024, i bëhej jehonë fakti se Europoli, kishte kryer një operacion në një grup shtetesh, për të goditur posaçërisht shqiptarët që përfshiheshin në aktivitete kriminale. Pak ditë më parë një tjetër lajme se një shqiptar, ishte kapur me disa kile kanabis në Angli e një tjetër mbase edhe në Spanjë.
Sigurisht që Europoli, mund të ketë bërë jo vetëm një, por me qindra operacione kundër krimit dhe elementëve kriminalë, por nuk e ka shkruar në ballë se objektiv i operacionit ishin ata që quheshin shqiptarë dhe përjashtoheshin elementët kriminalë me kombësi të tjera. Ndaj nuk e kuptova aspak titullin e shigjetimit të egër të një mediaje shqiptare ndaj vetë shqiptarëve. Duket se mediat tona, mezi presin që të kapet një shqiptar, qoftë edhe pa patentë në një vend të huaj dhe të masakrojnë “kriminelin e poshtër” që paska drejtuar një makinë pa patentë, apo qoftë edhe paska pasur disa kile hashash për ta shitur, apo edhe disa doza kokaine apo heroine me vete.
Ky argument nuk synon të mohojë faktin se informacioni ku përbën lajm duhet pasqyruar dhe denoncuar, e madje me shumë forcë. Po ashtu ky argument nga, nuk synon të justifikojë veprimin, apo përfshirjen kriminale të elementëve të caktuar në aktivitete keqbërëse nga më ordineret tek ato më “fitimprurëset” apo më të egrat. Edhe përfshirja individëve nga strukturat shtetërore nuk mund dhe nuk duhet të justifikohet. Por nga ana tjetër titujt “kapet shqiptari”, “goditet banda shqiptare”, apo zbulohet “organizata mafioze shqiptare”, apo edhe ndonjë tjetër nuk japin veçse një imazh vetëdiskriminues të emrit, madje duken si tituj të paguar që ne të denigrojmë veten.
Nuk e ndihmojnë dhe nuk japin ndonjë kontribut në ndërgjegjësimin e shoqërisë tonë, madje në ndonjë rast vetëm hedhin pluhur lavdie mbi aktivitete të tilla të tipit; Bravo filani i fitoi lekët e veta nga kjo punë, apo; filan fisteku është i zoti se bëri pare të mirë nga kokaina. Kjo lloj paraqitje e lajmeve, të krijon përshtypjen se ne shqiptarët, paskemi ngritur organizata dhe sisteme kriminale mafioze, pas të cilëve iu janë vënë agjenci qeveritare, që nga Azia në Europë e Amerikë, e madje nga Toka e deri në Mars. Faktet që parashtroj nuk synojnë të hedhin poshtë informacionet se nuk ka shqiptarë të përfshirë në akitvitete kriminale. Por po ashtu, shumë pak media në Shqipëri, përjashtuar BIRN-in, nuk kanë hedhur hapa seriozë për të organizuar dhe kryer investigime për çështje të ndryshme kriminale në vendin tonë, apo edhe elementë të krimit të organizuar shqiptar të përfshire në lidhjet e krimit apo mafies ndërkombëtare.
Në Britaninë e Madhe kapen dhe arrestohen me dhjetra e qindra persona të origjinave nga më të ndryshmet, e për krime shumë edhe më të rënda se ato të shqiptarëve. Por mediat angleze, duke iu shërbyer edhe politikave, të tipit Sunak, apo Suela Braverman, që e gjejnë fajin tek të huajt, e kanë nuhatur tashmë gjahun: Ata janë shqiptarët. Më diskretë mbeten mediat franko- gjermane, sa i përket denoncimit të origjinës të të dyshuarve për krime, ndryshe nga mediat italiane. Nga kjo e fundit duket se kemi marrë shembujt më të këqinj të gazetarisë të importuar dhe të vënë në zbatim nga një ish- gazetar provincial italian që ka ngritur një perandori të tijën në Shqipëri. Shkurt pra, duhet të mos vetëdiskretitohemi, të mos vetëdiskriminohemi dhe të mos vetëdemaskohemi, për një kile hashash.