Ministria e Mbrojtjes synon që të ndërtojë një hangar të ri për strehimin e helikopterëve UH60 “BLACK HAWK” (SKIFTERI I ZI në shqip) që mbërrijnë këtë shtator nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto helikopterë do të strehohen në bazën ajrore të Farkës. Për këtë tashmë është hapur një procedurë prokurimi me një fond limit mbi 407 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro. Në dokumentet që shoqërojnë procedurën janë dhënë detajet teknike të projektimit.
“Bazuar në skicat orientuese, pjesë e Detyrës së Projektimit, janë ruajtur të pacënuara pozicionet dhe sipërfaqet e Ambienteve. Hapësira e Hangarit pajiset me vinçurë e cila operon në 50% të sipërfaqes së Hangarit Largësia e ganxhës së vinçurës nga dyshemeja e hangarit është 8.0 m.
Hapësirat e dedikuara për stacionimin e mjeteve fluturues, konform Detyrës së Projektimit, janë pozicionuar në distancë prej 3.0 m nga njëra tjetra dhe nga pengesat vertikale në ambient, konkretisht kolonat metalike.
Ambientet: Laborator, Workshop dhe Pajisje të Hangarit, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me hapësirën nën vincurë gjë që lehtëson aktivitetin në këto ambiente.
Pozicionimi i daljeve të emergjencës është sipas skicave orientuese, pjesë e Detyrës së Projektimit.
Korridoret e emergjencës janë 2.30 m të gjera, bazuar në rekomandimet e inxhinierit MKZ në lidhje me mbrojtjen pasive nga zjarri. Lartësia e katit përdhe të pjesës dykatëshe është 4.80 m, referuar skicave orientuese, pjesë e Detyrës së Projektimit”, sqarohet në raportin teknik që shoqëron procedurën.
Helikopterët Blac Hawk
Shtimi në forcën ajrore të Shqipërisë edhe me dy Black Hawk, helikopterët kryesorë të përdorur në ushtrinë amerikane u bë i ditur pak kohë më parë nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Helikopteri me shumë funksione BLACK HAWK shërben me ushtrinë amerikane dhe forcat e armatosura të 34 vendeve të tjera në mbarë botën.
Gjatë 40 viteve të fundit, është përdorur brenda dhe jashtë zonave të panumërta luftarake për të ofruar dhe nxjerrë trupa, për të shpëtuar jetë si një platformë MEDEVAC ose për evakuimin e viktimave, për të ofruar furnizime kritike për trupat, për të ofruar furnizime emergjente gjatë fatkeqësive natyrore dhe të kryejë misione si zjarrfikës ajror dhe patrullues kufitar.
Më shumë se 4000 helikopterë BLACK HAWK të të gjitha llojeve janë në shërbim sot në mbarë botën. Ushtria e SHBA është operatori më i madh me 2,135 helikopterë të caktuar H-60. I njëjti mjet flutures i shitur ndërkombëtarisht direkt nga Sikorsky merr përcaktimin S-70.