Në datat 19-20 gusht ishte lajmëruar prej kohësh që do të mbahej në Livadhë të Himarës « Lova Fest 2022 » e cila parashikonte sporte ujore dhe « immersive music », pra muzikë pa fund, pa anë, pa kufij, sepse kështu mund ta japim në shqip fjalën angleze « immersive ». Mirëpo e dini çfarë ndodhi ? Në orën 24 të natës të së shtunës autoritetet e zonës i urdhëruan ta mbyllin muzikën sepse kështu qënka urdhri. Pra ky është lajmi. Tani, më thoni ju, të dashur lexuesit e mi, si t’ua shpjegojmë atyre dhjetëra e dhjetarë të huajve që kishin ardhur në këtë event prej lajmërimit që ishte vënë në të gjitha faqet on-line, si t’ua shpjegojmë atyre të rinjve shqiptarë që studiojnë apo punojnë jashtë vendit dhe që kishin ardhur me miqtë e tyre të huaj për të promovuar Shqipërinë e bukur !!!! Si ? Që tani do nisin bombardimet ? Që do na sdulojnë alienët ? Si ? Ata të rinj, të iu zu festa në fyt në buzë të detit të Livëdhës, ulën kokën dhe e pranuan këtë fyerje të rëndë dhe nuk protestuan as nuk bërtitën e as nuk ngritën zërin. Vetëm se shumë të huaj thanë me ironi : si ka mundësi që ju shqiptarët që kini namin në botë se nuk zbatoni ligjet, se dërgoni në botë imazhin e mafiozëve dhe të kriminelëve, si ka mundësi që këtë ligj e zbatoni të gjithë ?
Ky është një detaj në dukje pa ndonjë peshë sepse ne, shqiptarët, jemi mësuar të gëlltisim nga mëngjesi në darkë lajme me luftë, me ndeshje e më përplasje, me hunj e me cfurqe, me thyerje në mes e me lloj -lloj marrëzirash dhe ne nuk dimë të menaxhojmë jetën në liri. Ky është një detaj që tregon se ministria e turizmit me Kumbaron në krye është një institucion pa ide dhe pa asnjë aftësi për të paraqitur Shqipërinë ashtu si duhet. Pse ? Po përpiqem t’i tregoj me radhë gjërat.
E para, unë jam dakord që në zonat urbane muzika e lokaleve live në mjedise të hapura dhe afër qendrave të banuara duhet të ndalet dhe të kufizohet. Të gjithë e mbajmë mend tmerrin e para disa viteve kur lokale në qendër të Tiranës ulërinin me muzike tekno deri në mëngjes. Kjo ishte vërtet një çmenduri alla shqiptare. Unë e kuptoj që edhe në Sarandë, fjala vjen, apo edhe në zona të tjera turistike që kanë afër ambiente banimi muzika me tinguj të lartë dhe në ambinete të hapura ose ajo që auhet disco music duhet të kufizohet. Mirëpo, problemi është se për plazh, për pushime dhe për zbavitje kanë nevojë edhe të rinjtë. Edha ata duan të zbaviten ashtu siç ua do mosha, me muzikë të lartë me të gjitha teprimet që ua kërkon ajo moshë dhe në lokale që u përshtaten atyre. Mirëpo për këtë lloj argëtimi shteti i tyre nuk mendon dhe kur them shteti, ministria e turizmit e Kumbaros nuk ngre zërin sepse është jo vetëm e paaftë por edhe shpirtzezë. Si mund të ndalohet muzika në orën 24 në një ambient krejtësisht të shkëputur nga qendrat e banimit në një event ndërkombëtar ku ishin ftuar me dhjetëra DJ nga më të mirët e vendit, por edhe të huaj. Çfarë imazhi ndërtojmë kështu? A e përfytyroni zhgënjimin e atyre të rinjve dhe a e përfytyroni se çfarë mendojnë e ndiejnë ata qindra të huaj që në orën 24 një urdhër idiot e absurd u mbyll muzikën ?
Ky problemi i muzikës dhe zbavitjes për të rinjtë dhe të huajt që vijnë të vizitojnë Shqipërinë nuk është vetëm kjo që ndodhi në Livadhë. Është e gjitha një mentalitet absurd që nuk e di nga është rrënjësur te ne. Nga pikëpamja antropologjike ne, shqiptarët, pëlqejmë ta ndërtojmë jetën duke ripërtypur të shkuarën. Narrativa jonë e aktualitetit përbëhet vetëm nga histori të së shkuarës. Kush e kush të tregojë se sa kriminelë kemi qenë, se sa diktaturë të egër kemi pasur, se sa jemi vrarë me njëri-tjetrin, se sa bunkerë kemi ngritur. Mua më neverit ajo vizita pa asnjë ide te një bunker që është afër Kuvendit, pastaj të gjitha vendet e tjera që duhet të vizitojnë të huajt janë qendra që tregojnë barbarinë e një sistemi, duke harruar se ai sistem jemi ne, por jo të rinjtë e sotëm që kanë nevojë të jetojnë jetën, jo t’ua nxijmë ne me çmenduritë tona. Nuk dua ta mbroj atë sistem, por kështu siç e paraqesim ne veten, të gjithë kanë të drejtë të na quajnë barbarë. Ana tjetër është folklori. U tregojmë të tjerëve se sa vend të bukur kemi, se sa liqene e dete, lumenj e male kemi. Po jetën që bëjmë ne shqiptarët sot si ua tregojmë të huajve ? Në këtë ambinet kaq të bukur ne ngjajmë si ato delet apo si at gjallesat pa tru që vërtiten rrugëve. Si do ua tregojmë muzikën që dëgjojmë ? Këtu është një nga katastrofat e tjera. Të gjithë autoparlantët e plazheve që prodhojnë muzikë ditën, pra që të shkatërrojnë nervat ditën kur ti bën plazh, pra që ndotin ambientin sepse zhurma e muzikës në plazh është ndotësi më i madh i ambientit, pra të gjithë këta zhurmues japin këngët e ndyra të reperëve shqiptarë këtej e andje kufirit me tekstet më banale, me « ta bëfsha » e « ta hëngsha » me ndërtim muzikor që ka një ritëm sllav të ndyrë me dy nota. Për këtë ndotje kriminale dhe për këtë masakrim që i bëhet imazhit tonë ministria e turizmit nuk do t’ia dijë dhe nuk e ndalon këtë muzikë. Po ashtu, si ka mundësi që për të rinjtë, për t’u zbavitur ata dhe për të kaluar pushime si në vende të tjera moderne nuk mendon askush. Ne nuk jemi një azil i madh dhe i neveritshëm, as një kopsht pleqsh që duan të flejnë në orën 21 dhe as një vend i traumatizuar që i çojmë turistët dhe të rinjtë të vizitojnë muzetë dhe të njihen me krimet e diktaturës. Kështu, imazhin tonë do ta përdhosim më keq.
Ndaj ajo që ndodhi në Livadhë natën e së shtunës më 20 gusht duke u gdhirë e diel është një shenjë që tregon se mentaliteti ynë për jetën dhe për të paraqitur Shqipërinë ashtu si duhet është jo vetëm i keq, por të duket sikur një dorë e ligë kërkon ta mbajë edhe më larg.
Shqipëria është vendi i Dua Lipës jo i Dude Balës, shkruanin disa medie dhe rrjete sociale kohë më parë, duke kontrastuar me këtë rast debatin për shaminë. Mirëpo kjo që ndodh në plazhet shqiptare dhe mungesa e vëmendjes ndaj zbavitjes së të rinjve dhe së ardhmes është më e rëndë se shamia, sepse kjo tregon që nuk dimë të jetojmë të sotmen dhe e kemi më të vështirë të përfytyrojmë të ardhmen. Ejani shkojmë në cilindo vend që ka dalë nga komunizimi dhe të shohim se si sillen ata me të shkuarën, me të tashme dhe si e mendojnë të ardhmen. Ne jemi një përjashtim tragjik.