Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinion“Jemi armiq”

“Jemi armiq”

Në daljen e tij të parë në shesh pas më shumë se 9 vitesh, Sali Berisha shprehu me forcën e shpirtit, me forcën e zërit dhe me forcën e disa mijëra njerëzve mbledhur për të, vetëm një gjë: Urrejtjen ndaj Edi Ramës dhe premtimin se do të bëjë gjithçka për ta dëmtuar. Ky është pak a shumë kuptimi i fjalës “armik” që Berisha e përdori në protestë.

Nuk jam Luli

Berisha bëri menjëherë ndarjen nga PD e Lul Bashës. Dy armiq nuk gjejnë rrugë kompromisi, nuk kanë tryeza bashkëpunimi, nuk kanë kanale komunikimi, nuk kanë marrëveshje. Berisha premtoi në shesh vetëm luftë, vetëm betejë, në stilin e tij të vjetër, më të vjetër se 2005, kur KOP dhe jo lufta e sollën në pushtet, por kjo është “një histori Hirusheje”. Pikërisht në këtë stil, Berisha “i doli përballë” Ramës duke i thënë: “Nuk jam Luli, tani kemi punë direkt bashkë”. Në fakt, ndryshe nga ç’lojëra ju bën truri, nuk ka ndodhur kurrë që të kemi përballë një Ramë në pushtet dhe një Berishë drejtues opozite. Do jetë përballje kurioze. Për emisionet e shumta të mbrëmjes është një mall i mirë, nuk mund të thuash po të njëjtën gjë për aftësitë rigjeneruese të Partisë Demokratike. Aq më pak për aftësitë e shqiptarëve për të ofruar diçka të re dhe ndryshe.

Militantët e rinj

E dini moshën që kanë qenë 25 vjeçarët që ndjekin sot Sali Berishën, kur ky i fundit mori pushtetin për herë të parë në Shqipëri? Nuk kishin lindur ende. Madje edhe 30 vjeçarët e sotëm ishin pak muajsh. Dhe oferta që ju jep sërish Berisha është po e njëjta, siç ua ka dhënë atyre që sot janë 55-65 vjeç: Armiqësia, lufta, forca. Pak a shumë si ato betejat në Tik-Tok ku armiqtë rrinë e shahen nga larg me njëri tjetrin, pastaj grinden me grushta e shkopinj nga afër. Vallë çfarë mendimi kanë bashkëmoshatarët e tjerë të 25 vjeçarëve që nuk ishin në shesh, por që janë kundër Ramës, apo ata më të shumtët që janë të dyzuar, për të mos folur për ata që nuk e shohin më veten brenda 28 mijë km katrorë, për ofertën e Berishës? Armiqësia me Ramën është në emër të tyre? Sepse Berisha u tregua i kujdesshëm dhe tha: “unë jam armiku yt” dhe jo “ne jemi armiqtë e tu”. Pra këta të rinj, këta militantë, apo të rinj që kanë ikur dhe që nuk duan të ikin më, do jenë pas Berishës, apo në krah të Berishës?

Korrupsioni

Është fjala numër një sot në çdo takim kombëtar e ndërkombëtar, në rrugë e në institucione, në kafe e në Parlament, në opozitë e në qeveri. Si do jetë Berisha armiku numër një i “kryetëkorruptuarit” kur është i shpallur “non grata” si i korruptuar?! Ka një nonsens këtu. Duke kërkuar mosrelativizim, ai ka bërë më të mirën për gjithë të akuzuarit për korrupsion në qeveri, me fakte, apo pa fakte. Ata thjesht do i kunderpërgjigjen: Ti je i korruptuar i çertifikuar nga amerikanët. Dhe ky është dëmi më i madh që i bëhet kauzave të opozitës.

Forca

Pothuaj e gjithë mbështetja mediatike dhe e rrjeteve sociale, gjithë misticizmi rreth Berishës mbështillet tek forca: tani do shohë Rama; Berisha e merr zvarrë; ishte mësuar të tallej me Lulin; tani ka opozitë të vërtetë; Berisha tregoi fuqinë…Madje e gjithë kjo forcë sugjestionoi edhe Batonin, që u zgjat nga karrigia t’i shtrëngonte dorën Berishës më shumë se një herë. Është kaq budallëk të impresionohesh pse partia e dytë më e madhe në vend, pas 9 vitesh qeverisje, pas mijëra akuzash për korrupsion, pas ngritjes së çmimeve, pas miliona ankesave për naftën, pas ministrave e zyrtarëve futur në burg e në gjyqe, me minimumi 500 mijë votues…mbledh ca mijëra vetë në shesh. Nëse flasim për forcë të vërtetë, si ju duk entuziazmi i njerëzve kur flisnin oratorët, madje edhe kur fliste vetë Berisha?

Risitë

Berisha flamurtar, ishte hera e parë që e shihja. Nuk di rast tjetër që Berisha ka marrë flamurin duke e valëvitur. Për energjinë, vullnetin, karizmën, prova gjenerale doli me sukses megjithë vitet pa ushtrim. Por fjala e tij, nuk kishte risi. Mesazh përveç “armiqësisë” së shpallur publikisht nuk kishte. Ndonjë togfjalësh që të habiste e të niste diskutimi e elaborimi nuk kishte. Asnjë shpjegim pse PD u nda, pse një kryetar 8 vjeçar “bir për shpirt” pikërisht i Berishës “u pshporr”, asnjë mea kulpa, asnjë rrugëpërshkrim se si PD do të vijë në pushtet, sepse të flasim realen demokratët duan të vijnë në pushtet, jo vetëm të duartrokasin riciklimin e drejtuesve të tyre. Në fakt nostalgjikët nuk janë asnjëherë përparimtarë, as vizionarë, as sjellin risi, as progres në një forcë politike. PD në vend të risive, rrezikon të kthehet në parti nostalgjikësh për Berishën. Ky atrofizim është i rrezikshëm; kërkon të rrëzosh dikë që ka 9 vjet në pushtet, ndërkohë që drejtohesh nga i njëjti person prej 30 vjetësh.

Suksesi

A ishte e suksesshme protesta?! Sipas meje një protestë ka sukses kur arrin një minimum të qëllimit. Berisha dje tha “këtu jam unë, nëse doni bisedime për çdo gjë, do i bëni me mua”. Në këtë kontekst, protesta ishte sukses. Për masën militante, me të cilët as mund të diskutosh, as mund të replikosh, ishte shumë e suksesshme, pasi ata e shohin çdo gjë lidhur me dhunën, ashpërsinë, kokëfortësinë, gjëra këto të munguara sipas tyre nën drejtimin e Bashës. Për pjesën fisnike dhe intelektuale të PD kam dyshime nëse mund ta quajnë plotësisht sukses pa shpallur një alternativë që s’ka lidhje me armiqësitë. Nëse protesta ishte kundër qeverisë dhe Ramës, mund të quhet edhe dështim, pasi nuk shkaktoi as ndonjë reagim të Ramës siç ndodhte rëndom pas protestave të Bashës.

Në finale

Berisha është fakt. Nuk është i vdekur politikisht. Mund të jetë fantazmë politike. Por se si është fantazmë politike, pa vdekur politikisht, vetëm në këtë vendin tonë ndodh. Gjithsesi njerëzit që e ndjekin nuk janë fantazma. Nuk janë as non grata. Mund t’u japim çfarë emrash të duam, por ata janë realë. Sado e pakuptimtë të duket rendja e tyre pas Berishës, ky është realitet. Ky realitet do kthjellohet edhe më shumë pas vendimit të gjykatave për siglat. Pastaj është realiteti i protestave të Berishës, të cilat besoj do të kenë tjetër agresivitet. Është realiteti i fushatës dhe zgjedhjeve lokale, ku PD më në fund do të kthehet në pushtet sepse normalisht do të fitojë bashki më shumë se 2019 kur s’mori pjesë fare në zgjedhje. Por ka dhe një realitet që duhet demokratët ta shohin në sy. Në vitin 2025 kur të bëhen zgjedhjet e përgjithshme që të sjellin në pushtet, cilën moshë do të ketë Berisha dhe çfarë ofron ai për ta? SHBA nuk kanë hequr kurrë një “non grata” nga vendimet që kanë marrë. A i leverdis demokratëve shqiptarë të presin se mos do të jetë lideri i tyre përjashtimi nga rregulli? Vërtetë mendojnë se mund të trembin Ramën dhe pushtetin e tij me Berishën?! Unë më shumë do të vija bast për Ibsen Elezin.

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories