Lexoj indeksin mbi lirinë e medias. Në rastin e Shqipërisë, në kontekstin e krimit të organizuar, thuhet se gazetarët janë kërcënuar nga krimi i organizuar, se gazetarët femra që përbëjnë dhe numrin më të madh të gazetareve sulmohen dhe ngacmohen seksualisht në rrjetet sociale etj..
Nuk mund të flas për pjesën e sulmeve politike ndaj medias pasi nuk kam informacion. Por puna ma do të takohem shpesh me gazetarët e kronikës së zezë të cilët janë ndër më kurajozët dhe nuk kam marrë këtë përshtypje, qoftë dhe nga gazetaret femra.
Raporte të cilat “nxijnë” çdo gjë, i kanë bërë dëmin më të madh lirisë së shtypit. Unë mendoj se sot pushteti nuk merret me kufizim e lirisë së medias, por me një formë më të sofistikuar se kërcënimet banale të para viteve 2000. Sot pushteti keqpërdor median nëpërmjet baltosjes dhe linçimit. Pushteti, përfshi këtu dhe krimin e organizuar, nëpërmjet portaleve, prodhon pafund fake news (lajme të rreme. Shënim i redaksisë) për të terrorizuar, trembur dhe baltosur kundërshtarët e tij kryesisht dhe jo gazetarët. Pra media sot kërcënohet si pushtet nga korruptimi që po i bëhet qëllimit dhe rrolit të saj. Nuk kemi të bëjmë këtu me kufizim lirie të medias por me shpërdorim të saj. Sot media cilësore po kërcënohet nga media jo cilësore ose nga portalet “kamikaze” që paguhen për të sharë dhe baltosur. Sot gazetarët cilësorë nuk shantazhohen, por lajmi i tyre konkurohet nga fake news të prodhuar nga gazetarë të paguar për të deformuar të vërtetën. Sot fake news e ka ridimensionuar kërcënimin ndaj lirise së medias i cili është keqpërdorimi i saj. Dhe për këtë zëri i gazetarëve cilësorë duhet të jëtë shumë më kritik, së bashku me pjesën tjetër të shoqërisë civile dhe intelektuale. Liria e medias kërcënohet sot në fakt nga gazetaria që shpif, trillon dhe është mediokre, e cila prodhon skupe për like. Ky është problemi që ka liria e medias sot. Dhe këtë nuk e gjeta të qarte në indeks.
Shënim: Titulli i shkrimit është redaksional