Pothuajse në të gjitha qytetet e botës ka shumë iniciativa për t’i kujtuar njerëzve rritjen kulturore që rrjedh nga leximi dhe sot, në një botë ku lexohet gjithnjë e më pak, ftesa për të lexuar është kthyer pothuajse në një lutje. Rënia rekord e blerjes së librave është dëshprëruese, pa dallim përkatësie nacionale. Krejt bota është kapluar nga ky mur akulli që njerëzit po ngrenë rreth vetes. Statistikat në lidhje me këtë emergjencë sjellin shumë trishtim. Përgjigjet që vijnë më shpesh, kur bëhet pyetja: “Sa libra merrni në shtëpi në një vit?”, janë gjithmonë të njëjta: “Nuk kemi para për të blerë atë që na nevojitet, e lëre më nëse mund të blejmë libra!” Ose: “Ne kemi aq shumë angazhime sa nuk na lejojnë të lexojmë as një libër!”. Për të vijuar: “Ka iku koha e librit”, e pafund përkufizime që njerëzit, pa dallim grupshtrese sociale, bënë, duke krijuar një shtjellë përparëse, ku marrëdhënia e tyre me librin fundoset. Në shumicën dërrmuese të rasteve libri konsiderohet si një artikull luksi, por edhe komponent arredues, që mund të shijohet vetëm nga njerëzit e pasur ose ata që janë joaktivë. Megjithatë, mendimi i gjithpranuar qëndron, se nuk është vetëm gjendja ekonomike, ajo që i pengon njerëzit të lexojnë. Ka gjithnjë e më shumë mundësi që garantohen për të gjithë shtresat dhe interesat e lexuesve, që nga librat falas në internet, librat që autorët lexojnë në YouTube, deri te librat e përdorur dhe bibliotekat. Janë pafund mundësi për të lexuar, në një pafundësi arsyesh dhe pretekstesh për ta larguar veten nga fajësia e mosleximit. Atëherë nuk duhet të harrojmë se ne u lidhëm me librin duke e ndarë me njëri-tjetrin, duke e vlerësuar si një mënyrë e epërme të kalimit të kohës, por edhe duke biseduar për autorë dhe gjini, për tendenca dhe risi, për personazhe e histori. Biblioteka në familje kishin pak fatin të kishin, por bibliotekat nëpër lagje, e libra në të ashtuquajturat vatrat e kulturës nuk mungonin, pavarësisht regjimit të rreptë të përzgjedhjes së titujve. Libri nuk jetoi me ne si një arsye për tu mburrur, as si një kredo sociale. Librin e lexonin të gjithë, natyrisht ata që dëshironin që jeta e tyre të meritonte të ishte e rrethuar nga një realitet cilësisht i zgjedhur shpirtëror dhe kultural. Mungesa e kohës së lirë është një tjetër justifikim nga ana e atyre që nuk kanë guxim të pranojnë se nuk e duan leximin. Ata që ndiejnë dëshirën për të lexuar gjithmonë gjejnë kohën për ta bërë atë, pa kërkuar kohë për të sajuar justifikime. Ju mund të lexoni kudo, mjafton dëshira për ta bërë dhe nevoja për ta konsideruar. Edhe pse sot një vështrim i shkujdesur mund të kapi dhjetëra koka të varura mbi telefona dhe një individ që lexon, në autobus apo në radhë shërbimi, bën më shumë zhurmë se sa një i çmendur që zhvishet lakuriq në publik. As modelet demotivuese dhe denigruese që fabrikon balta e injorancës dhe falsitetit të emisioneve televizive, nuk mund të pranohen si gijotina ku qafa e hollë e dëshirave tona të leximit pritet. Nëse e do të bukurën, e kërkon dhe e gjen atë shumë më lehtë se çdo dëshirim tjetër cytës, me të cilin gjithnjë e më shumë ndër ne sofistikojnë garderobën e megallomanisë dhe narcizmit. Te jetuarit si gjithë të tjerët, vetëm se kjo është metodologjia e imponuar nga virtualiteti, nuk ka shanse ta bëjë jetën tuaj më të bukur dhe kohën e dedikimit më të vlertë, nëse libri, leximi, bashkëjetimi në një botë që ju shpërbleheni vetëm me dhurata, nuk ka vend tek ju. Nëse do të më duhet të ndaj me ju, se çfarë mendoj unë, do të thoja se asgjë më emocionuese nuk ka ndodhur në jetën time veç momenteve të shpërthimit të dritës së leximit ku unë jam derdhur. Askush nuk ka mundur të më qëndrojë aq pranë, të më këshillojë aq urtësisht, të më udhërrëfejë aq me largpamësi, të më shpërblejë aq bujarisht, se sa libri. Ju e dini shumë më mirë nga unë se çfarë është e mirë për ju, se çfarë ju bën të lumtur. Kur jemi në një gjendje të dëshpëruar, braktisur nga njerëzit që na duan dhe nga shpresa, kur kemi humbur aq shumë dhe bota na shembet para syve, kur ndodheni në një stuatë që ju nxjerr nga vetja dhe ju përplas pas një errësire si pas një muri betoni, dhe këto janë gjithnjë e më të shumta në jetën tonë, ndoshta gjëja me mençur që duhet të bëjmë është të shfletojmë një libër. Do të shihni se gradualisht, faqe pas faqeje fijet e tendosura të trazimit tuaj do të nisin të çkontraktohen. Do të ishte naivitet të besonim se libri nuk do të na i zgjidhë problemet tona, por ai do të ndalojë nga rënia fatale, prej nga ku do ta kenë më të lehtë të ringriheni.