Mjaft qytetarë mund të pyesin me shumë të drejtë: Kujt duhet t’i besojmë për atë çka shohim dhe dëgjojmë? Përgjigjet për këto pyetje nuk janë vetëm dy apo tre, e as të lehta. Kjo edhe për faktin se politika ka nxitur prej kohësh idenë e përfshirjes së qytetarëve në bashkëqeverisje, e cila nuk është veçse një përpjekje për t’i kthyer qytetarët në zgjatim të propagandës, e njëkohësisht për të fituar aprovimin e tyre, të paktën për njëfarë kohe. Kjo lojë e bashkëqeverisjes, siç është rasti i fundit i pyetësorit të kryeministrit, bëhet edhe më prezente sidomos kur qeveria duket qartë që ka nevojë të fitojë kohë lidhur me marrjen e disa vendimeve që mund të hasin kundërshti nga ekspertët e fushës. Në këtë aspekt pushteti vetëm sa u krijon idenë qytetarëve se mund të jenë në bashkëqeverisje, duke u zgjuar dhe inkurajuar atyre anët e errëta të komunikimit, sidomos ato pjesë që kanë të bëjnë sidomos me denigrimin e tjetrit, për të shmangur zemërimin dhe revoltën. …Vetëm njerëzit që besojnë se mund të jenë të lirë, dhe bëjnë gjithçka për ta mbrojtur lirinë e tyre, kanë më pak gjasa që të jenë viktima të manipulimit, kanë më pak gjasa të aprovojnë një realitet të bazuar në instinkte. Dhe sot, kur qeveritë nuk e fshehin më se po bëjnë gjithçka që të kontrollojnë protestën dhe atë që mendojnë qytetarët, është me rëndësi që ndryshimi të nisë nga debati mbi moralin, që më pas kthen kurajën- sepse kurajo është motorri më i rëndësishëm për të përqafuar ndryshimin.