Çmimet dhe pasojat e talljes 30 vjeçare ndaj rendimentit që jepte ekonomia jonë dikur

0
340

Deri në vitin 1990, Shqipëria prodhonte thuajse gjithçka që mund të prodhohej në vendin tonë. Bujqësia, sektori më i rëndësishëm i ekonomisë sonë, si një shembull modest, kimikatet nuk i importonte por i prodhonte në vendin e saj me një cilësi më të lartë se cilësia e kimikateve që importohen sot nga jashtë vendit. Me shkatërrimin e sektorit të bujqësisë në vend të zhvillimit dhe orientimit të saj nga tregu rajonal dhe ai i Bashkimit Europian, ekonomia jonë sot ndodhet para një absurdi!Në mungesë të studimeve dhe statistikave konkrete ne nuk e dimë vit pas viti sesa është rendimenti krahasuar me vitin 1990, kur u aplikua teoria e ekonomisë së tregut, cilat janë resurset e pashfrytëzuara dhe më kryesorja, investimet ku shkojnë. Kësisoj, përveçse mund të identifikohet dështimi lehtë nga çdo qytetar, pa shifra dhe studime konkrete nuk kemi sesi të analizojmë përmasat e këtij dështimi apo edhe të nxjerrim përgjegjësit konkretë.Nëse dëgjojmë politikanët mund të krahasohemi me Gjermaninë, ose me vendet skandinave kur ata janë në pushtet, dhe me vendet afrikane kur ata bien nga pushteti.Nëse dëgjojmë “ekspertët” ata flasin për gjithçka, por është fatkeqësi kombëtare që shumica prej tyre nuk e dinë as se cili është sektori që zë peshën kryesore të ekonomisë sonë.Një ekonomi që nuk prodhon asgjë mbetet gjithnjë e rrezikuar të kërcënohet seriozisht në rast të ndonjë krize globale nga rritja e papritur e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa një vend me institucione të dobëta rrezikohet po ashtu nga abuzimi i tregtarëve të importit me çmimet.Shqipëria mbetet e ekspozuar para të tilla rreziqeve. Duke mos prodhuar për tri dekada thuajse asgjë dhe duke abuzuar me gjithçka, dalja nga kaosi kërkon ndoshta një mobilizim të ri shoqëror me një ndryshim rrënjësor.Në këtë situatë protestat vlejnë në shoqëritë demokratike, por nëse ato nuk materializohen politikisht, nuk i japin asnjë zgjidhje ekonomisë. Protestat për rritjen e çmimeve sot, edhe nëse do të marrin një zgjidhje, ajo do të jetë e përkohshme por kurrë nuk do të jetë zgjidhje reale, pasi shtimi i rendimentit të ekonomisë dhe ngritja e institucioneve që garantojnë tregun e konkurencës së lirë, kërkojnë vullnet të gjerë politik dhe minimalisht disa vite punë. Protestat duhet të kishin nisur 30 vite më parë, ose sot të paktën si një zgjidhje e mundshme duhet që të paraqesnin një program të qartë ekonomik, pse jo edhe politik, si një alternativë e mundshme qeverisëse nesër (janë institucionet ligjzbatuese nëse ekzistojnë ato që nuk lejojnë abuzimin me çmimet edhe nëse vendit i mungon opozita siç ndodh sot në Europë ose në Shqipëri gjatë kohës së regjimit komunist). Në vitin 1990, meqënëse u orientuam nga ekonomia e tregut dhe vendosëm si prioritet anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian, në vend të “shpikjeve”, ne nuk kopjuam dot, zbatuam dhe nuk ndoqëm kurrë një model, ndonëse një të tillë e kemi shumë afër kufirit tonë. Një model i tillë ka tri dekada që punëson me qindra mijëra emigrantë shqiptarë.Në vitin 2014, kur Greqia kapërceu krizën e rëndë ekonomike, gjatë 7 viteve të ardhshme, për gjallërimin e ekonomisë greke Komisioni Europian u zotua se do të investonte më shumë se 19.5 miliardë euro në sektorin bujqësor dhe zonat rurale të Greqisë. Prioritetet kryesore politike të përcaktuara në nivel evropian ishin: vendet e punës, qëndrueshmëria, modernizimi, inovacioni dhe cilësia. Paralelisht, Greqisë i jepej fleksibilitet për të përshtatur si pagesat direkte ashtu edhe programet e zhvillimit rural me nevojat e saj specifike.Bujqësia përbën vetëm një pjesë të vogël të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) në Evropë, sepse vendet e zhvilluara e bazojnë ekonominë e tyre në sektorë si industria (e rëndë dhe e lehtë), shërbimet dhe teknologjia.Megjithatë, bujqësia është shumë më e rëndësishme për sa i përket sipërfaqes së zënë (toka bujqësore dhe pyjore mbulojnë afërsisht 90 % të sipërfaqes së tokës së BE-së). Përqindja e tokës bujqësore të ujitur në Greqi ka mbetur konstante që nga viti 2000 (38%), ndërsa totali i tokës së ujitur në vitin 2003 është rritur me 22% krahasuar me vitin 1990. Kultivimet e arave zënë 64% të totalit të tokës bujqësore (pa përfshirë tokën djerrë), ndërsa kulturat drunore, vreshtat dhe sipërfaqja e kopshteve zënë përkatësisht 29%, 4% dhe 3% të totalit të tokës bujqësore. Mbi 90% e konsumit të përgjithshëm të ujit në Greqi, Portugali dhe Spanjë ndodh për shkak të bujqësisë. Drithërat përfaqësojnë kultivimin më të rëndësishëm në Greqi (37% e totalit të tokës bujqësore). Sipërfaqja e përgjithshme e kultivuar me drithëra është zvogëluar që nga viti 1990 me 13%, ndërsa prodhimi është rritur me 1.6%. Në vitin 2003 prodhimi i misrit, orizit dhe tërshërës u rrit përkatësisht me 15%, 60% dhe 31% krahasuar me nivelet e vitit 1990, ndërsa prodhimi i grurit, elbit dhe thekrës u ul përkatësisht me 11%, 28% dhe 21%.Në vlerësimin e helenëve, kujtojmë se deri në vitin 1980 ekonomia dhe bujqësia greke nuk kishte ndonjë përparësi dhe avantazh prodhues apo konkurues karshi asaj shqiptare.Kështu që nëse jemi tallur për 30 vite me planifikimin e ekonomisë së dikurshme dhe me planet 1 ose 5 vjeçare të regjimit të Enver Hoxhës, sot ka ardhur koha të kopjojmë ndonjë model, të fillojmë e të mësojmë “abc” e ekonomisë së tregut, para se të jetë tepër vonë nga ndonjë alarm i mundshëm kapitullimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu