Mbështet Albanian Daily

E përditshme, për të gjithë
BallinaOpinionNË VEND TË PËRSHPIRTJES PËR MADELEINE OLLBRAJT

NË VEND TË PËRSHPIRTJES PËR MADELEINE OLLBRAJT

Nga libri i saj, “Zonja Sekretare”, ku një pjesë të madhe e zë çështja e Kosovës, lufta e UÇK-së për pavarësi e deri te ndërhyrja ushtarake e NATO-s.

Aty nga fundi i korrikut, vizitova Kosovën për herë të parë. Lufta kishte mbaruar që para gjashtë javësh. Pavarësisht nga meraku ynë, pjesa më e madhe e refugjatëve nuk kishin pritur dhe ishin kthyer. Disa familje ishin të lumtura se ishin bashkuar, kurse disa të tjera kishin zbuluar varre në vende nga më të çuditshmet. Për habinë e disave, UÇK-ja nënshkroi një marrëveshje çmobilizimi me Jamie Rubin-in, i cili kishte qenë ndërmjetësuesi i bisedimeve, por megjithatë vazhdonte të kishte shumë dyshime për qëllimet e këtij grupi. Ashtu siç pritej, kishte disa raste hakmarrjeje, të drejtuara nga shqiptarët etnikë kundër serbëve, shumë prej të cilëve u larguan në Serbinë mëmë. Kosova e mëparshme ishte shkatërruar, kurse procesi i rindërtimit pothuajse nuk kishte nisur.

Kur isha në Prishtinë, fola para një turme të madhe të mbledhur në sheshin qendror të qytetit. Për shkak të gjithë atyre çative dhe dritareve, ishte vështirë të patrulloje dhe, ndërsa prisja në shtabin e OKB-së para se të flisja, dëgjuam një të shtënë arme, por askush nuk e dinte nga erdhi. Për të shmangur rrezikun, më çuan me një mikrobus në ato pak metra që nga dera e ndërtesës e deri te podiumi që kishin ngritur para turmës. Pastaj mikrobusi ndaloi pas shpinës sime me derë të hapur, që në rast se ndodhte gjë, të bija drejt e në të.

 Turma, e zmadhuar prej refugjatëve që ishin kthyer, ishte veshur me kostume kombëtare shqiptare dhe me bluza të “Cicago Bulls”. Ndërsa prisja të mbaronin duartrokitjet, studioja njerëzit që kisha përpara. M’u kujtuan ata që kisha parë kohët e fundit në kampet e refugjatëve, si dhe të tjerë në gazeta dhe në televizion: fytyra të lodhura nga vuajtjet, të shtrembëruara nga frika ose gjithë ankth, ndërsa familjet e tyre kërkonin të dashurit që ishin zhdukur. Tani, po ato fytyra buzëqeshnin.

  I thashë turmës: “Kam shumë kohë që mendoj për ju dhe për vuajtjet që keni kaluar. Sot duhet të betohemi që kurrë më të mos vijnë natën njerëz me armë dhe kurrë më të mos ketë masakra në Kosovë.” Fjalët e mia u priten me brohoritje. “Duhet të mbështesim Gjykatën për Krimet e Luftës, sepse ata që janë akuzuar për spastrime etnike dhe vrasje duhet të japin llogari, ndërsa Sllobodan Millosheviçi duhet të përgjigjet për krimet e tij.” Turma brohoriti edhe më fort. Pastaj thashë: “Demokracia nuk mund të ndërtohet me hakmarrje. Në qoftë se duam të kemi fitore të vërtetë në Kosovë, kjo nuk mund të jetë fitorja e shqiptarëve kundër serbëve ose e NATO-s kundër serbëve. Duhet të jetë fitorja e atyre që besojnë tek të drejtat e individit, ndaj atyre që nuk besojnë. Ndryshe, nuk është fitore. Është vetëm zëvendësimi i një lloj represioni me një tjetër”.

 Turma ra në qetësi. Mund të dëgjohej edhe zhurma e një gjilpëre.

 Pa dyshim nuk prisja që plagët e trupit dhe të mendjes së Kosovës të shëroheshin aq lehtë. Pasionet e luftës vazhdonin të ishin të mëdha. Por doja të përçoja një mesazh të vështirë. Në bisedat me europianë, edhe gjatë luftës, kisha parë se ishin shumë skeptikë ndaj shqiptarëve. Turmës iu drejtova me ton të hapur, por të prerë: “Ka nga ata që mendojnë se Kosova nuk do t’i shpëtojë kurrë së kaluarës. Thuhet se ju do të veproni ndaj serbëve ashtu sikurse policia ushtarake serbe veproi ndaj jush; se ju do ta bëni jetesën e serbëve në Kosovë të pamundur. Këta kritikë tregojnë me gisht tragjedi të tilla të pabesa, siç është vrasja javën e fundit e katërmbëdhjetë serbëve në Gracko dhe thonë: “E shihni, kishim të drejtë. Shqiptarët e Kosovës nuk janë më të mirë se Millosheviçi”. Dëshiroj shumë që ju të provoni se këta kritikë e kishin gabim.”

Kjo ishte një sfidë e drejtpërdrejtë, por e nevojshme. Druhesha se po të ndodhnin edhe raste të tjera që shqiptarët të vrisnin serbë, do të binte entuziazmi i europianëve për të rindërtuar Kosovën. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, Kongresi nuk do të bënte gjë për t’i ndihmuar. Luftën posa e kishim fituar, prandaj isha e vendosur të mos e humbisja paqen.

Marrë nga Sejdin Cekani/ Facebook

- Advertisment -
Google search engine

Most Popular

Related stories