Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge nga auutoritetet gjermane, u arrestua nga policia kufitare në Rinas. Policia e Shtetit tha se gjatë operacionit të kodaur “Terminali”, u arrestua shtetasi S.D, me shtetësi gjermane. Sipas njoftimit zyrtar të Policissë së Shtetit S.D; 32 vjeç, kishte udhëtuar nga Gjermania në drejtim të vendit tonë, me qëllim shmangien e tij ndaj autoriteteve gjermane që e kërkonin për trafik droge. I arrestuari u paraqit në sportelet hyrëse me një pasaportë të falsifikuar ukrainase. Gjatë intervistimit të 32 vjeçarit gjerman, oficerët e policisë kufitare ngritën dyshime se personi jepte të dhëna të rreme dhe deklarimet e tij nuk përputheshin. Pas verifikimeve hetuesit konfirmuan se pasaporta e ofruar nga i arrestuari ishte e falsifikuar. Po kështu hetuesit konfirmuan nëpërmjet sistemit të komunikimit të Interpolit se ndaj personit, Gjykata e Shtutgartit kishte nxjerrë një vendim arresti, me akuzën e shkeljes së ligjit mbi drogërat. Pas konfirmimit të këtij fakti, oficerët e kufirit të policisë së Rinasit prangosën të riun i cili u izolua fillimisht në ambientet e komisariatit të aeoportit të Rinasit e më pas u dërgua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Zyra e Interpolit pritet të komunikojë me autoritet gjermane në pritje të kërkesës për ekstradimin e të akuzuarit drejt Gjermanisë.